BE ul parashikimin për rritjen ekonomike në 2026, kriza me Iranin po rrit inflacionin
Komisioni Evropian ka ulur parashikimin për ekonominë e Bashkimit Evropian në vitin 2026, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të energjisë po shtojnë presionet inflacioniste në Europë.

Komisioni Evropian njoftoi se ekonomia e Bashkimit Evropian pritet të rritet me vetëm 1.1% gjatë vitit 2026, nga 1.4% që ishte parashikimi i mëparshëm në prognozën e vjeshtës. Edhe perspektiva për eurozonën është përkeqësuar, me rritjen ekonomike që tashmë parashikohet të jetë vetëm 0.9%.
Sipas raportit të publikuar nga Komisioni Evropian, përshkallëzimi i tensioneve në Ngushticën e Hormuzit dhe rritja e çmimeve të energjisë kanë ndryshuar ndjeshëm pritshmëritë ekonomike për Europën.
Kriza energjetike po nxit inflacionin
Komisioni paralajmëron se inflacioni në Bashkimin Evropian pritet të arrijë në 3.1% këtë vit, një pikë përqindjeje më lart se parashikimet e mëparshme. Rritja e çmimeve të energjisë, sidomos e naftës dhe gazit, po ushqehet nga frika për ndërprerje të furnizimeve globale për shkak të krizës në Gjirin Persik.
Sipas raportit, para shpërthimit të konfliktit në fillim të vitit 2026, ekonomia europiane pritej të vijonte një rritje të moderuar, e shoqëruar me ulje graduale të inflacionit. Megjithatë, situata ndryshoi ndjeshëm pas tensioneve në Lindjen e Mesme.
Zyrtarët europianë e krahasojnë këtë goditje me krizën energjetike të vitit 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që solli një nga krizat më të rënda energjetike në dekada.
Rënie e besimit të konsumatorëve dhe investimeve
Komisioni Evropian thekson se besimi i konsumatorëve ka rënë në nivelin më të ulët të 40 muajve të fundit, ndërsa familjet po përballen me fatura më të larta për energjinë dhe karburantet. Në të njëjtën kohë, bizneset po vuajnë nga rritja e kostove operative dhe dobësimi i kërkesës.
Raporti paralajmëron se investimet pritet të ngadalësohen për shkak të kushteve më të shtrënguara financiare dhe pasigurive në rritje, ndërsa edhe eksportet europiane po përballen me kërkesë më të dobët globale.
Europa më e përgatitur se në krizën e vitit 2022
Pavarësisht përkeqësimit të perspektivës ekonomike, Komisioni Evropian vlerëson se Bashkimi Evropian është më i përgatitur për të përballuar krizën aktuale krahasuar me situatën e vitit 2022. Sipas Brukselit, investimet në energjinë e rinovueshme, ulja e konsumit të gazit dhe diversifikimi i furnizimeve energjetike kanë forcuar qëndrueshmërinë e ekonomisë europiane.
“Përpjekjet për diversifikimin e furnizimeve, dekarbonizimin dhe uljen e konsumit të energjisë e kanë vendosur ekonominë e BE-së në një pozicion më të mirë për të përballuar goditjen aktuale”, thuhet në raport.
Rreziqet mbeten të larta
Megjithatë, Komisioni Evropian paralajmëron se rreziqet vazhdojnë të jenë të orientuara kryesisht në kahun negativ. Sipas raportit, një përshkallëzim i mëtejshëm i krizës në Ngushticën e Hormuzit ose ndërprerje të zgjatura të furnizimeve nga Lindja e Mesme mund të rrisin edhe më shumë çmimet e energjisë dhe të pengojnë rimëkëmbjen ekonomike të Europës.
Komisioni paralajmëron gjithashtu se mungesat e produkteve të rafinuara të naftës, plehrave kimike dhe lëndëve të tjera industriale mund të ndikojnë në zinxhirët globalë të furnizimit, duke sjellë rritje të mëtejshme të kostove të ushqimeve dhe prodhimit në të gjithë Europën.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)